Sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është zhvilluar një takim me synim përmirësimin e politikave sa i takon talenteve të reja. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Drejtori Teknik i ekipeve Kombëtare, Dzemal Mustedanagiç dhe Ilir Shulku që mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm pranë FSHF-së.
Tema kryesori ishte te të rinjtë dhe puna me ta për përmirësimin e objektivave në këtë vit të ri kalendarik. Trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale të Shqipërisë, janë njohur me politikat dhe praktikat e reja për seleksionimin e talenteve që do t’i shërbejnë ekipeve Kombëtare në vijim.
Në fund, Ilir Shulku theksoi: ” Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim tepër të rëndësishëm të zhvillimit të Futbollit në vend. Gjithsecili prej nesh ka detyrën kryesore në evidentimin e talentëve dhe përkrahjen e tyre në përzgjedhjen e më të mirëve.
Evidentimi i futbollistëve është një prioritet i FSHF. Trajnerët janë të pajisur me të gjithë bazën materiale dhe botimet profesionale të anës zhvillimore. Në procesin e seleksionimeve duhet të jemi shumë të saktë.
Sa i përket përgatitjes së ekipeve përfaqësuese të rajoneve, duhet të ndiqni me përpikmëri programin e miratuar nga FSHF. Secili trajner në skuadrën e tij duhet të jetë një edukues shumë i mirë për fëmijët dhe të rinjtë”./newsport/