Një talent shkodran po rritet në Irlandë. Quhet Richard Ferizaj, është vetëm 16 vjeç, i lindur në Irlandë, por me prindër nga Shkodra. Fundjavën që lamë pas u bë pjesë e historisë së klubit të Bray Wanderers, që militon në ligën e dytë të futbollit vendas.

Ferizaj shënoi mbrëmjen e së premtes golin e parë me fanellën e klubit bardhejeshil, duke i dhënë fitoren në përballjen me Treaty United dhe, njëkohësisht, duke u bërë futbollisti më i ri që shënon për Bray Wanderers, vetëm 16 vjeç, një muaj dhe 30 ditë.

Mbrëmja magjike e së premtes nuk u mbyll me kaq për Ferizajn, që gjithashtu u shpall edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes dhe u bë pjesë e formacionit më të mirë të javës, falë një paraqitjeje mbresëlënëse dhe sigurisht golit me vlerë trepikëshe.

Richard Ferizaj është rritur në akademitë e Shamrock Rovers, teksa në fillim të këtij viti u bashkua me Bray, ku firmosi edhe kontratën si profesionist, fill pasi mbushi 16 vjeç, sipas legjislacionit të shtetit irlandez.

Talenti 16-vjeçar aktivizohet si mesfushor dhe numëron 8 ndeshje si profesionist me Bray Wanderers, ndaj skautët në FSHF do të duhet të shënojnë pa dyshim edhe emrin e Richard Ferizajt në blloqet e tyre të shënimeve, si një futbollist që premton shumë dhe luan si profesionist, ndonëse me vetëm 16 vite mbi supe.