Mathys Tel ka vendosur të largohet nga Bayerni deri në fund të dritares së tregut dimëror. Sulmuesi i majtë francez, i lindur në vitin 2005, nuk ka ndër mend të presë deri në qershor për të fituar minuta në ekipin e Vincent Kompany.
Me mbylljen e tregut të parashikuar për të hënën, më 3 shkurt, ish-lojtari i Rennes ka mundësi të mira të largohet nga Gjermania dhe disa klube të Premier League po e ndjekin atë.
Tottenham ka bërë ofertën më të rëndësishme: Spurs kanë ofruar 60 milionë euro për lojtarin që është nën kontratë deri në vitin 2029 me bavarezët dhe klubi më i njohur gjerman e ka pranuar. Pritej përgjigjja e sulmuesit të ri, e cila erdhi pak më parë dhe befasoi drejtuesit e skuadës londineze: sipas shtypit britanik, 19-vjeçari ka thënë “jo”, duke preferuar të presë një ofertë të re nga klube si Aston Villa, Manchester United, Arsenal dhe Chelsea.
Tel, i cili mbërriti te Bayerni në vitin 2022 nga Rennes, nuk është përdorur shumë nga trajneri i tij i ri, Vincent Kompany. Në këtë sezon, në katërmbëdhjetë ndeshje në Champions League, Bundesliga dhe Kupë, ai nuk ka shënuar ende, ndërsa vitin e kaluar realizoi shtatë gola dhe dha pesë asiste.