Nga Endri ÇINARI

Në çmimet e fundvitit të organizuara nga “Shkodra Sport” ai u vlerësua si një nga talentet e vitit. Fjala është për Flavio Venomin, çiklistin shkodran që shkëlqeu në vitin që po mbyllet. Në një prononcim për gazetën ai shprehet i gëzuar për këtë vlerësim. Ku ndër të tjera përveç suksesit, tregon edhe vështirësitë e një sporti si çiklizmi.

Venomi tha: “Jam i gëzuar sepse u vlerësova si një nga talentet e vitit. Dhe për këtë duhet të falenderoj të gjithë ata që më votuan e në veçanti “Shkodra Sport”.

Çiklizmi është një traditë e qytetit të Shkodrës dhe ne sërish me ekipin e Vllaznisë arritëm suksese në vitin 2023. Një sakrificë e gjithë sportistëve, por edhe trajnerëve, në veçanti Leonat Kolës, që gjej rastin t’i shpreh mirënjohje. Gjithçka bëhet falë pasionit dhe dashamirësisë së tyre.

Viti 2024? Uroj të vijojmë me suksese të tjera me Vllazninë, por siç e thashë është një sport plot sakrificë. Uroj që në vitin e ardhshëm të ketë mbështetjen e duhur për këtë disiplinë. Që në vite i ka dhuruar qytetit të Shkodrës shumë suksese”.