Nga Endri ÇINARI

Klaudia Borçi ishte një nga talentet që u vlerësua në këtë fundvit për vitin që po lamë pas. Sulmuesja e ekipit të Vllaznisë për femra u vlerësua jo vetëm nga “Shkodra Sport”, por edhe nga FSHF në mbrëmjen gala për vitin 2023. Për gazetën ajo ka folur për këto emocione dhe vlerësime që ka marrë këtë periudhë. Ajo shton se këto arritje e bëjnë krenare, por edhe e motivojnë shumë për vitin e ardhshëm.


-Klaudia si fillim urime për çmimet e fituara në këtë vit 2023?

Ju falenderoj shumë për urimin dhe pasqyrimin që i bëhet futbollit të femrave.


-Si u ndjetë pas këtyre vlerësimeve?

Realisht shumë krenare, por ndoshta edhe e surprizuar pasi nuk është se i prisja. Patjetër që këto ditë kam marrë shumë urime, ku jam ndjerë shumë e vlerësuar.


-Po ashtu përveç çmimit që more nga “Shkodra Sport”, u vlerësuat edhe nga FSHF. Kombëtarja, ëndrra juaj e madhe për vitin 2024.

Kushdo që merret me sport do që të luajë me kombëtaren. Patjetër që dua të jem pjesë e ekipit të parë në vitet e ardhshme.

-Ndalemi pak te Vllaznia, do e vijojnë vajzat kuqeblu dominimin në kampionat?

Dihen arritjet dhe ato çfarë ka bërë Vllaznia këto sezone. Prandaj edhe në vitin 2024 objektivat ngelin të njëjtë, shpallja kampion si në kampionat ashtu edhe në kupë.


-Në fund një dëshirë apo urim për vitin 2024 që është në prag?

I uroj gjithë sportistëve shkodranë suksese dhe sidomos vajzave. Këtë vit dua të luaj sa më shumë e po ashtu të shënoj sa më shumë gola me Vllazninë.