U cilësua si një nga talentet e vitit nga ceremonia e fundvitit e organizuar nga “Shkodra Sport”. Fjala është për Paola Gjyshen, volejbollisten e Vllaznisë. Në një intervistë për gazetën ajo shprehet e emocionuar për çmimin që ka marrë. E ndërsa i bën edhe një përmbledhje të shkurtër sezonit të shkuar e po ashtu shpalos edhe objektivat që ka në vitin 2024.

-Një prej talenteve të vitit, kujt ia dedikoni këtë sukses?

Si fillim gjej rastin për të falenderuar gazetën “Shkodra Sport” për vlerësimin dhe kënaqësinë që më dhuroi me realizimin e kësaj ceremonie. Këtë sukses ia dedikoj në rradhë të parë familjes e shoqërisë së afërt për mbështetjen e tyre në çdo hap, stafit drejtues për punën e palodhshme, si dhe vajzave të ekipit, pasi puna e tyre nxori edhe punën time në pah.

-Ishte i vështirë sezoni që lamë pas për sportin e volejbollit?

Ishte një sezon shumë i vështirë dhe sfidues për ne, por ne kishim një objektiv kryesor, synimi i katershes së parë në renditje. Edhe pse me shumë pengesa dhe largime lojtaresh, ne arritëm të përmbushnim objektivin tonë vetëm prej punës, egos, vullnetit dhe pasionit që na karakterizon.


-Çfarë mund të presim nga Vllaznia në këtë sezon?

Edhe këtë sezon si në sezonin e kaluar, synojmë që të jemi pjesë e katërshes së parë në renditje, por për shkak të disa mungesave kemi hasur vështirësi në përmbushjen e këtij objektivi në fazën e parë, por sigurisht kjo gjë na shtyn që të punojmë më fort e kështu të shpresojme që në fazën e dytë ta permbushim këtë qellim.


-E ka Paola një objektiv personal për këtë vit?

Sigurisht , objektivi im konsiston në rritjen e performancës personale që pason dhe rritjen e rezultateve të ekipit.


-Një ëndërr e juaja që ndoshta do donit ta plotësonit në këtë vit 2024?

Një tjetër synim apo siç mund ta quajmë edhe ëndërr e këtij viti është që të arrij të kryesoj në renditjen e më të mirave të rolit tim në fushë.
Intervistoi: Endri ÇINARI