Në Shqipëria, ka edhe shumë lojtarë nga Kosova të cilët kanë zgjedhur që rrugën drejt suksesit ta ndërtojnë larg vendit të tyre. Një nga këto është edhe rasti i 16-vjeçarit, Dijar Nikqit. Ky i fundit aktivizohet me Akademinë e Futbollit, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë edhe e Shpresave. Sulmuesi në një intervistë për Talenti Shqiptar në Fshf.org, tregon se ëndrra e tij është të luaj me Kombëtaren e madhe të Shqipërisë, ndërsa shton se sakrifica më e madhe është të qëndroj larg familjes.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Dëshira dhe pasioni për futbollin kanë qenë shumë të hershme. Kam filluar të luaj futboll që në moshën 7 vjecare në ekipin e moshave, por si të gjithë fëmijët e tjerë, në atë kohë ishte thjesht dëshirë për të luajtur futboll, pa e ditur se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Personi i parë që më afroi me këtë sport dhe pati besim tek aftësitë e mia, ishte babai im.
– Tashmë je bërë pjesë e Kombëtares U-21. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?
– Jam shumë i lumtur që isha pjesë e kombëtares U-21. Pata një pritje të shkëlqyer. Djemtë më pritën shumë mirë, nuk mendoja se do ishin aq të ngrohtë. Me trajnerin gjithashtu kam kaluar shumë mirë, u kuptuam menjëherë dhe kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Për sa i përket ekipit, mund të them se për momentin nuk jemi keq. Deri në fund të kampionatit mendoj se do t’i arrijmë qëllimet tona sepse kemi një grup të shkëlqyer.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)
– Kur mora ftesën nga kombëtarja jonë isha tejet i gëzuar. Ishte një ëndërr që bëhej realitet pasi gjithmonë kam dashur të përfaqësoj ngjyrat kuq e zi. Debutimi me kombëtaren ishte një moment i paharruar, një ndjenjë e vecantë. Shkak për këtë ishte dhe fakti që arrita të shënoj gol në atë ndeshje.