Edhe pse me probleme të shumta, çiklizmi në Shkodër vazhdon të mbijetojë, ku falë pasionit të trajnerit Leonat Kola, gjatë viteve të fundit Vllaznia ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tek ky ekip bën pjesë aktualisht edhe njëri prej talenteve shkodranë, siç është Mateo Balaj, i cili ka spikatur në konkurrimet e vitit të kaluar. Këto rezultate pozitive bënë që gazeta “Shkodra Sport” ta vendosë në mes sportistëve më të dalluar shkodranë dhe t’i akordojë çmimin “Talenti i vitit 2022”.

Në fakt, Balaj garën e parë të çiklizmit do e fitonte në moshën pesë vjeçare, atëherë kur ëndrra e tij për t’u bërë një sportist as që merrej me mend nga ndokush. Ai do të rregjistrohej për herë të parë me ekipin e Vllaznisë, me trajner Leonat Kola, në moshën 15-vjeçare.

Sukseset e para ishin të shpejta, teksa pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, arriti disa herë në garat kombëtare të renditej në vendin e parë dhe të dytë në “Kadet” dhe “Junior”. Tradita që gjeti në ekipin e Vllaznisë në çiklizëm, por edhe talentet e vazhdueshme në përbërjen e ekipit, ndikuan në formimin e tij si sportist, pavarësisht problemeve financiare që e kanë shoqëruar vazhdimisht skuadrën.

Së fundmi, gjatë vitit 2022, Balaj ishte pjesë e ekipit SCAP në Itali për “Junior”. Ndërkohë, për këtë vit, 18-vjeçari i talentuar shkodran do të jetë përsëri pjesë e një ekipi tjetër italian për U-23, teksa një gjë të tillë e konfirmoi edhe ai vetë pak ditë më parë në një intervistë për “Shkodra Sport”.

Realisht, e ardhmja e djaloshit të talentuar shkodran Mateo Balaj flitet se do të jetë e niveleve të mëdha, ç’ka do të thotë se jo shumë larg në kohë do ta shohim atë në majat më të larta të çiklizmit shqiptar dhe jo vetëm. Megjithatë, e vërteta është se ai ka akoma shumë punë përpara për të arritur suksese të tilla.
Maringlen ZHIVANI