Aktiviteti i dytë kombëtar i vitit 2021 në sportin e çiklizmit ka qenë Kupa “Tirana”, aktivitet ky i organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në kryeqytet. Krahas çiklistëve më të mirë të kampionatit shqiptar si dhe të atyre të ardhur nga Maqedonia e Veriut, konkurimi i të cilëve ishte në tre kategori, Elitë U-23, Junior dhe Kadet, pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ekipi i Vllaznisë që drejtohet nga trajneri, Leonard Kola.
Nga tre trofetë e dorëzuara për këtë aktivitet, njëri prej tyre dhe pikërisht ai për kategorinë Kadet është fituar nga çiklisti shkodran, Servet Kastrati. Duke folur për Veriu Sport, çiklisti kuqeblu, Kastrati bën të ditur se gara në fjalë me distancë 40 kilometër kishte një itenerar fushor dhe malor.
Pikërisht në këtë të dytën, terrenin malor, Kastrati ishte më dominues nga rivalët e tij duke krijuar shkëputjen, ku edhe pse më herët pati një rrëzim për arsye defekti, në finish ai do të mbërrinte i pari me kohën 1 orë, 18 minuta dhe 40 sekonda. Me 19 sekonda më shumë, në vend të dytë renditet Emil Priftaj i Tiranës, ndërkohë që vendi i tretë është edhe më larg në kohë, 1 minut dhe 13 sekonda.
Për të riun e talentuar të çiklizmit shkodran Servet Kastrati, në tre vitet e konkurimit të tij me Vllazninë ka pasur edhe trofe të tjera, ndërkohë që fitimi i këtij trofeu të fundit shërben si nxitje dhe motivim që në garat në vazhdim, ato që do të zhvillohen këtë fundjavë në Maqedoni si dhe javën e ardhshme në Shkodër për Kupën “Agim Tafili” të synojë të tjerë trofe.
Dy trofetë e tjera të Kupës “Tirana” në çiklizëm janë fituar nga çiklistët maqedonas. Për kategorinë Elitë U-21 të distancës 107 km fitues është Nikolche Damianovski, ndërsa për kategorinë Junior distance 80 km në vend të parë renditet Teo Vrondeleiv.