Mesfushori me tipare sulmuesi Adonis Shala po përjeton një moment të jashtëzakonshëm në karrierën e tij si profesionist.

19-vjeçari nga Kosova që ka kaluar me sukses provat në gjigandët e Turqisë, ka regjistruar ndeshjen e dytë si titullar në radhët e Fenerbahçe U-21.

Shala ishte një ndër protagonistët e takimit pasi dha asistin në golin e fitores, të shënuar nga Rapaic.

Në një intervistë për “Telegrafi.com”, 19-vjeçari thotë se stafi teknik e ka përgëzuar për performancën, ndërsa zbuloi se ëndërron të luajë për ekipin e parë të Fenerbahçe.

“Jam i kënaqur me debutimin tim. Besoj se kam bërë një paraqitje të mirë në fushë. Pas takimit kam marrë lëvdata nga stafi i trajnerëve. Shpresoj, që një ditë do ta vesh edhe fanellën e skuadrës së parë.

Për këtë jam duke u angazhuar maksimalisht”, tha ish-talenti i Vëllaznimit të Gjakovës. Aktualisht 19-vjeçari nuk ka firmosur një kontratë të rregullt pasi në ekip janë 14 futbollistë të huaj. /EDS/