Opinion nga Eduard Ilnica
Tani mos “llapni” kundër Dukës…Nuk ishte surprizë rizgjedhja e Armand Dukës president i FSHF-së, pasi duke u propozuar nga 41 anëtarë, nga 65 të mundshmit, aq më tepër kandidat i vetëm në zgjedhje, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ajo që më habiti ishte numri i votave, 100% pro Dukës, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Nuk po bëj paralelizëm me kohën e komunizmit, pasi mendoj se nuk kanë lidhje shumë, edhe pse nga kolegë dhe komente të ndryshme e dëgjova shpesh krahasimin me kohën e Enverit, kur në votime një kandidat merrte edhe 100% të votave. Kësaj radhe nuk jam kundër Dukës, mendimin personal e kam dhënë që në momentin e rikandidimit, që pas 3 mandateve, vetë ai duhej të tërhiqej për shumë e shumë arsye, sepse futbolli shqiptar është në regres, duke filluar me trukimet dhe tolerimet, dhunën në stadiume, mungesën e tifozërisë, aleancat e disa klubeve në dëm të të tjerëve, mungesa e politikave për zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe në fund mungesa e rezultateve nga kombëtarja shqiptare, pavarësisht ndonjë periudhe me rezultate pozitive në dukje. Ka edhe të tjera, por këto janë më negativet.Këto rreshta janë për të gjithë ata që votuan Armand Dukën, që nesër mos “llapin” lart e poshtë se presidenti i FSHF-së apo federata u bie në qafë. Bizhdili, Gjika, Kapllanaj, Shkëmbi, Gjoka e disa të tjerë, që deri dje kërcënonin deri me bojkot të kampionatit, që shpesh kanë folur në media kundër Dukës, teksa e kanë cilësuar edhe diktator, që kontrollon gjithçka, votuan “pro”. Po, po, të gjithë i dhanë votën, asnjë kundër. Pas zgjedhjeve, mendoj se asnjë me të drejtë vote nuk ka gojë të flasë kundër Dukës. Nëse dikush do të fliste kundër tij, mendoj se do të jetë thjesht shashkë mediatike, asnjë nuk do ta marrë seriozisht. Në zgjedhjet e ardhshme, edhe sikur Duka të tërhiqet, besoj se këta që e votuan do ta mbajnë me zor president…