Lajmi dihej prej kohësh e ndërsa tashmë ka marrë formën zyrtare, Kevin Haveri do jetë pjesë e Torinos në Serie A sezonin e ardhshëm. Lajmi është konfirmuar edhe në media të ndryshme italiane, ku shkodrani cilësohet si një nga afrimet që ka bërë klubi torinez në këtë merkato verore, pavarësisht se marrëveshja për Haverin kishte kohë që ishte arritur.
Pas disa sezonesh të suksesshme të kaluara në rradhët e Riminit, mëngjërashi ka rënë në sy me lojën e tij në krahun majtë. I aktivizuar në linjën e majtë të fushës, 21-vjeçari ka bindur drejtuesit e klubit granata për ti afruar një kontratë në nivelin më të lartë të futbollit në apenine.
Haveri është zhvilluar futbollistikisht tek akademia Ajaks në Shkodër, për të kaluar në një moshë fare të re në Itali. Ku patjetër mori edhe eksperiencën e duhur që tashmë duket se do e ndihmojë akoma më tepër në aventurën e re. Torino është një nga ekipet e njohura në Itali dhe për Haverin do jetë një sfidë në vete të ketë sukses në një klub të tillë.
Megjithatë duket se ai do ketë shansin të tregojë vlerat e tij në këtë periudhë të përgatitjeve verore, ku të gjithë lojtarët do jenë në një lloj ‘prove’. Tashmë për të duket se ka ardhur momenti për të bërë hapin e madh drejt një karriere në një prej kampionateve më të fortë në Botë.
Endri ÇINARI