Taulant Seferi ishte pjesë e podkastit “Informale” të Bujar Osmanit. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka theksuar se rrjedh prej një familjeje patriotike, që ka punuar ndër vite për çështjen kombëtare. I rritur me një frymë të tillë në familje, nuk mund të mos zgjidhte të vishej kuqezi.

“Idriz Seferin e kemi në gjak. Është e vërtetë që rrjedh prej një familjeje patriotike. Gjithmonë familja ime: gjyshi, stërgjyshi; kanë punuar për çështjen kombëtare. Nixha i babit tim është dëshmor i kombit, Arif Seferi. Kjo dashuri për kombin, padyshim që rrjedh prej familjes. Jam krenar që po e përcjell këtë frymë edhe unë si Taulant”, ka thënë fillimisht Seferi.

Më tej ka rrëfyer edhe periudhën e vështirë të karrierës së tij. Në momentin kur u transferua te Jang Bojsi dhe kishte mundësinë të bënte një karrierë të suksesshme, ndodhi ajo që më pak e priste. Seferi rrëfen se pësoi një lëndim në të dy gjunjtë e tij njëkohësisht, çka e la jashtë fushave për 3 vite. Një kohë vërtetë e gjatë, përpara së cilës do të ishin dorëzuar pjesa dërrmuese e lojtarëve. Por 27-vjeçari thekson se nuk u dorëzua asnjë herë, megjithëse shumë njerëz i shihnin si kapitull të mbyllur historinë e tij në futboll.

“Pasi ika në Zvicër, e bëra kontratën me Jang Bojsin. Fillova përgatitjet shumë mirë. Pas gjashtë muajve më ndodhi një dëmtim, isha në stërvitje. Gjëja më e keqe ishte se m’u dëmtuan të dy gjunjtë përnjëherë. Erdhën fizioterapistët dhe e panë, gjunjtë më ishin mbushur me ujë. E kuptuan që duhej operacion. Pas 6 muajve kontratë, në 3 vitet e ardhshme unë kam qenë vetëm me lëndime e operacione. Nuk kam prekur top me këmbë. Brenda këtyre tre viteve nuk kam bërë asnjë ndeshje. Ka qenë një kohë shumë e vështirë. Por kam qenë shumë pozitiv me veten.

Nuk jam dorëzuar asnjëherë. Kam dëgjuar shumë fjalë. Njerëzit dhe mediat atje mendonin se Taulanti mbaroi si futbollist. Operacionin e gjurit ma ka bërë doktori i Roxher Federerit. Më tha që po të isha 27-28 vjeç, nuk do të më bënte operacion, sepse ishte rrezik i madh. Falë Zotit isha vetëm 20-vjeçar. Asnjëherë nuk jam dorëzuar, kam punuar shumë fort. Atë njeri që nuk dorëzohet, Zoti nuk e harron asnjëherë”, ka treguar Taulant Seferi./-Sport Ekspres/