Arsenali pësoi një humbje prej 17.7 milionë paundësh në sezonin 2023/24, pavarësisht se rikthimi në Ligën e Kampionëve ndihmoi klubin të regjistronte të ardhura rekord prej 616.6 milionë paundësh.

“Topçinjtë” e mbyllën sezonin e kaluar në vendin e dytë në Premier League, pas Manchester City-t, dhe arritën deri në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2016/17, përpara se të eliminoheshin nga Bayerni.

Rikthimi në elitën e futbollit evropian solli një rritje prej 71 milionë paundësh në të ardhurat nga transmetimet dhe pre 29 milionë paundësh nga ndeshjet e zhvilluara në ‘Emirates Stadium’.

Të ardhurat komerciale gjithashtu u rritën ndjeshëm, duke arritur 218.3 milionë paundë, falë rinovimit të marrëveshjes me sponsorin kryesor ‘Emirates’ dhe shitjes së të drejtave të emrit të qendrës stërvitore te ‘Sobha Realty’.

Megjithatë, shpenzimet për pagat u rritën ndjeshëm, nga 234.8 milionë paundë në 327.8 milionë paundë.

Këto shifra përfaqësojnë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me humbjen 52.1 milionë paund të regjistruar në 12 muajt e mëparshëm.

Në një deklaratë zyrtare, Arsenali sqaroi:

“Klubi vazhdon të jetë në përputhje me të gjitha rregulloret financiare të vendosura nga UEFA dhe Premier League. Kualifikimi i njëpasnjëshëm i ekipeve tona, si ai i meshkujve ashtu edhe i femrave, në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25 është një shenjë e progresit të vazhdueshëm të klubit. Me padurim presim një përfundim emocionues të sezonit 2024/25.”

Aktualisht, Arsenali renditet në vendin e dytë në Premier League, shtatë pikë pas Liverpool-it, me 13 ndeshje të mbetura, ndërkohë që ka kaluar në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.