Do të luhen këtë të diel ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për vajza, nga ku do të njohim dhe katër skuadrat gjysëmfinaliste të edicionit të 15-të të këtij kompeticioni.
Ndeshja e parë e së dielës është Lushnja-Tirana, një sfidë që duket formalitet për vajzat bardheblu pas rezultatit 16-0 në përballjen e parë. Takimi është programuar të luhet në kompleksin “Skënder Halili” në orën 10:00.
Ndeshja tjetër e kësaj faze është ajo mes Gramshit e Vllaznisë. Takimi i parë përfundoi në favor të vajzave shkodrane, me rezultatin 2-0. Për gramshiotet, synim është kthimi i rezultatit ndërsa për Vllazninë, kualifikimi në gjysmëfinale. Kjo ndeshje është planifikuar të luhet në Gramsh në ora 13:30.
Dy ndeshjet e fundit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen në të njejtën orë, 14:00. Apolonia do të udhëtojë drejt Laçit. Edhe për fieraket, kjo ndeshje duket një formalitet pas fitores së thellë 11-1 në takimin e pare. Në sfidën paralele, Kinostudio do të presë në shtëpi Partizanin, një ndeshje ku vajzat e kuqe do të tentojnë të ruajnë avantazhin 2-0.
Tirana – Lushnja 16-0/ Lushnja – Tirana ora 10:00
Vllaznia – Gramshi 2-0/ Gramshi – Vllaznia, ora 13:30
Apolonia – Laçi 11-1/ Laçi – Apolonia ora 14:00
Partizani – Kinostudio 2-0/ Kinostudio – Partizani ora 14:00