Sfida e ditës së dielë, Kukësi-Vllaznia, do të jetë e dyta në krye të skuadrës kuqeblu për trajnerin maqedonasin Goçe Sedloski. Kjo ndeshje pritet të jetë mjaft e rëndësishme, jo vetëm për Vllazninë që ajo të vijojë me rezultatet pozitive, por edhe në aspektin personal për trajnerin maqedonas.

Në fakt, edhe vetë Sedloski kërkon ta vijojë me fitore aventurën e re në krye të skuadrës kuqeblu dhe një gjë të tillë e tregon edhe serioziteti, me të cilin ai punon në seancat stërvitore. Nga sa kuptohet, trajneri maqedonas do të vijojë pak a shumë me të njëjtën skuadër në fushën e lojës edhe ndaj Kukësit, me përjashtim të dy mungesave të kapitenit Gurishta dhe Hakajt.

Kështu, Vllaznia në përballjen me Kukësin do të vijojë të luajë sërish me rreshtimin 4-2-3-1. Nga burime brenda kampit kuqeblu bëjnë të ditur për “Shkodra Sport” se me shumë mundësi, maqedonasi Sedloski do t’i qëndrojë sërish këtij varianti, tek i cili beson më shumë në arritjen e suksesit.

Kujtojmë këtu se, edhe tek Shkupi ai ka luajtur me një skemë të tillë. Gjithsesi, sipas ecurisë së lojës, Sedloski edhe mund të ndërhyjë në modifikime të tjera me skemën, por edhe me emrat që ka në dispozicion.
Maringlen ZHIVANI