Sezoni 2020- 2021 i futbollit shqiptar po shkon drejt fundit dhe tashmë kanë filluar të jepen edhe verdiktet e të gjithë kampionateve.
Pasditen e së dielës në Shkodër do të kurorëzohet një prej ekipeve kampione të këtij sezoni, ai i futbollit të femrave. Vllaznia e ka siguruar prej disa javësh titullin kampion, por do ta ngrejë lart trofeun vetëm pas ndeshjes së fundit, asaj ndaj ekipit “Juban Danja- Murlani”.
Kjo ndeshje ka qenë e planifikuar të luhet në fushën e kësaj të fundit, por me mirëkuptimin e të dy ekipeve është rënë dakord që të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, për ta bërë edhe më të bukur ceremoninë e kurorëzimit të kampiones.
Ajo do të startojë në orën 16.00 dhe menjëherë pas përfundimit të saj, përfaqësuesit e Federatës do të dorëzojnë medaljet dhe kupën për ekipin kampion. Futbollistet kuqeblu kanë bërë një sezon të shkëlqyer dhe tashmë ka ardhur momenti i kurorëzimit të tyre si kampione.
Vllaznia e femrave ka bërë një sezon të shkëlqyer duke i fituar të 21 ndeshjet e luajtura deri më tani dhe ka një golaverazh vërtetë fantastik prej 158 golash të shënuar dhe vetëm 5 të pësuar.
Ajo do të kurorëzohet për herë të tetë rradhazi kampione e Shqipërisë duke treguar dominimin absolut në futbollin shqiptar. Por ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit mësohet se ka vendosur që finalja e kupës së Shqipërisë në futboll për femra, ajo në mes Vllaznisë dhe Apolonisë, të luhet të enjten e ardhshme në stadiumin “Air Albania”.
Kuptohet që vajzat shkodrane do të kërkojnë të fitojnë edhe këtë trofe, që gjithashtu do të jetë i teti rradhazi për të, duke treguar edhe njëherë tjetër se mbeten të pathyeshme në futbollin shqiptar.