Mesditën e së dielës (9 tetor) starton zyrtarisht Europiani i vitit 2024, teksa në Frankfurt të Gjermanisë, shteti pritës i turneut, do të hidhet shorti për kompeticionin më të rëndësishëm kontinental të futbollit. 53 kombëtaret në garë (Gjermania pritëse dhe Rusia e skualifikuar) do të njohin rivalet e tyre, teksa 7 grupe do të jenë me nga 5 skuadra, ndërsa tre të tjerë me nga 6 të tilla.

Të sigurta që do të shortohen në grupe me 5 ekipe janë Italia, Kroacia, Spanja dhe Holanda, katër finalistet e Ligës së Kombeve, të cilat në qershor do të kenë hapësirë që të luajnë për trofeun.

RREZIQET KUQEZI – Shqipëria nuk ia doli që të siguronte një vend në “play off”-et e “Euro 2024” nëpërmjet Ligës së Kombeve, ndaj do të jetë e detyruar të kërkojë një biletë për aktivitetin më të rëndësishëm kontinental që zhvillohet në Gjermani, nëpërmjet kualifikueseve.

Kuqezinjtë ashtu si të gjitha përfaqësueset e tjera do ta presin me shumë ankth shortin e së dielës (9 tetor), në Frankfurt, pasi duke parë shpërndarjen e Vazove, në varësi të udhëtimit që 53 federatat kanë bërë në Ligën e Kombeve (në short nuk do të marrë pjesë Gjermania organizatore dhe Rusia e skualifikuar nga lufta me Ukrainën), rrezikohet një grup ferri.

Shqipëria do të jetë pjesë e Vazos së Tretë, falë së cilës shmang disa rivalë shumë të komplikuar si Norvegjia e Erling Halandit, Ukraina që në fushë tashmë zbret me zemrën e luftëtarëve të armatosur kundër Rusisë, apo edhe Suedia, e cila ka shumë eksperiencë në të tilla evenimente.

Gjithsesi, sido që të shkojë, kualifikimi do të jetë një mision tepër i vështirë për përfaqësuesen tonë, pasi mjafton të shohësh skuadrat e Vazos së Parë dhe të Dytë për të pasur një udhëtim në malore, ndonëse për shembull një short me Hungarinë (Vazo 1) dhe një mes Izraelit apo Uellsit e Bosnjës (nga Vazo 2), pak më shumë shpresë do të kishte për ne.

Gjithsesi, problemi nuk përfundon vetëm këtu, pasi edhe në Vazot 4 dhe 5 rreziqet janë shumë të mëdha, duke nisur nga vëllezërit e Kosovës, apo Maqedonia e Veriut. Gjithsesi, të gjitha dyshimet do të fshihen të dielën pasdite, në Frankfurt, në mesditë.