Në Elbasan i kanë idetë e qarta për sezonin e ri futbollistik. Duan të krijojnë një ekip dinjitoz, i cili edhe pse vjen nga Kategoria e Parë, do të tentojë të jetë pjesë e “Final 4”. Për këtë arsye, nuk do të mungojë buxheti i vënë në dispozicion nga ana e presidencës, në mënyrë që drejtuesit të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme në skuadër për të arritur synimet.

Historia tre vjeçare e këtij klubi në futbollin shqiptar ka treguar se çdo vit kanë marrë nga një trofe dhe kanë dalë të parët, duke nxjerrë në pah ambiciet për të bërë gjithnjë mirë në kampionatin ku marrin pjesë. Megjithatë, Superiorja është një sfidë më vete, sepse aty do të përballen me skuadrat më të mira të futbollit shqiptar.

DREJTORI – Një nga personat që po merret drejtpërdrejtë me merkaton është edhe drejtori sportiv, Elton Guranjaku. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ai pohon se takimet me lojtarë të ndryshëm kanë qenë intensive gjatë kësaj periudhe dhe në ditët në vijim mbetet për t’u parë edhe konkretizimi i marrëveshjeve.

“Me mbarimin e kampionatit ne kemi nisur punën që tani për të përforcuar skuadrën. Dihen synimet tona që edhe në Superiore duam të jemi dinjitozë dhe të konkurrojmë, prandaj edhe po shohim nga merkato. Çdo rritje niveli, kërkon domosdoshmërish edhe më shumë cilësi dhe te kjo pjesë jemi fokusuar. Kam pasur bisedime dhe takime konkrete me disa lojtarë në harkun kohor të pak ditëve dhe shpresojmë që në fund të gjejmë gjuhën e përbashkët për të nisur bashkëpunimin. Është një periudhë intensive ku duhet të takosh shumë lojtarë dhe në fund më pas të shihen konkluzionet”, u shpreh fillimisht drejtori i klubit elbasanas.

PISTAT – Guranjaku ndalet më tej edhe te pistat ku po punohet, ndërsa thekson se s’ka përjashtime te kjo pjesë, sepse ai që plotëson parametrat për të qenë në një klub si Elbasani, do të mund të bëhet pjesë. “Ne po shohim çdo pistë të mundshme për t’u përforcuar. Baza është Superiorja, sepse janë lojtarë që njihen dhe vlerat u dihen, plus që në njëfarë mënyre e kanë më të thjeshtë edhe ambientimin, sepse e njohin mirë kampionatin. Nuk dua të përjashtoj këtu as lojtarët e huaj, pasi edhe aty jemi në kontakte me disa futbollistë që mund të na bëjnë punë.

Fillimisht ne nuk duam të nxitohemi, sepse tregu sot të ofron lojtarë cilësorë dhe për disa prej tyre po bëjmë diskutime dhe po marrim informacionin që na nevojitet. Vërtet duam që ta kompletojmë sa më shpejt skuadrën dhe kur të nisin përgatitjet të jemi të plotësuar, por kjo nuk do të thotë se do të nxitohemi në këtë aspekt. E rëndësishme është që puna ka nisur dhe besoj se në kohën e duhur ne do të jemi të kompletuar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën drejtori sportiv i ekipit të Elbasanit, Elton Guranjaku.