Federata Angleze është befasuar nga ndikimi i fortë që ka pasur Tomas Tuhel në dy muajt e parë të punës së tij në krye të Anglisë.

Trajneri gjerman, i cili mori drejtimin e stolit të “Tre Luanëve” në tetor, u kritikua muajin e fundit pasi u zbulua se në kontratën e tij është përfshirë edhe një klauzolë që ai të punojë nga Gjermania. Marrëveshja 18-mujore i lejon 51- vjeçarit që të bëjë udhëtime të rregullta drejt Gjermanisë për të vizituar familjen.

Tuhel debuton në stol në 21 mars në “Uembli”, në kualifikuesen e parë të Botërorit 2026 kundër Shqipërisë, ndërsa do të luajë kundër Letonisë tri ditë më vonë. Tuhel ka përgatitur një listë paraprake me 55 emra nga e cila do të zgjedhë skuadrën e tij për ndeshjen kundër Shqipërisë dhe Letonisë të enjten.

Por shefi i FA-së, Mark Bullingam, foli me superlativa kur u pyet për punën e deritanishme të ish-trajnerit të Çelsit: “Po, ai ka qenë i shkëlqyer. Ai ka pasur një ndikim të fortë. Ka qëndruar për shumë kohë në qendrën stërvitore dhe ka shpenzuar kohë me njerëzit. Ai po jeton në Londër dhe ne jemi shumë të kënaqur me të”.