Ernest Muçi ka tërhequr në javën e fundit vëmendjen e opinionit sportiv jo vetëm në Shqipëri e Poloni, por në të gjithë Europën me paraqitjen e tij mbresëlënëse ndaj Aston Viiës në Ligën e Konferencës. Dy golat e tij dhe një lojë e jashtëzakonshme përballë gjigandëve anglezë, bënë që futbollisti të merrte vlerësime të shumta.
Ai vetë ka treguar në një intervistë për “CANAL+” në Poloni se ka marrë shumë urime e përgëzime nga të gjithë pas asaj ndeshje, ndërsa ka komentuar edhe zërat e merkatos, duke theksuar se nuk mendon aspak për to.
“Pas paraqitjes ndaj Aston Vilës kam marrë shumë mesazhe, shumë përgëzime. Njerëzit ishin me të vërtetë krenarë me mua dhe skuadrën pasi arritëm një fitore historike. Unë jam shumë i lutmur, ashtu si e gjithë Varshava. Ne fituam gjithashtu një ndeshje të rëndësishme të dielën, që nuk ishte edhe aq e lehtë. Kemi një ndeshje jashtëzakonisht të vështirë para nesh, atë ndaj Pogon në Shzheçin.
A është e vërtetë që Muçi nuk shitet? Nuk e di, kjo është puna e Jaçek Zielinskit. Unë përqendrohem te ajo që ndodh në fushë dhe drejtori sportiv është ai që merret me pjesën tjetër.
Zhozue më ndihmon shumë, më motivon. Ai është një lojtar i madh, shumë i rëndësishëm për ne. Është e rëndësishme të kesh një mik i cili të mbështet në këtë mënyrë. Ai e di që unë mund të bëj shumë më shumë. Unë kam mësuar shumë nga ai, në fushë gjithashtu. Është një bashkëpunim i mirë.
Pse jam njëlloj i shpejtë me topin dhe pa të? Ka të bëjë me shumë stërvitje, por është edhe një dhunti me të cilin kam lindur. Jam i lumtur që mund ta tregoj para një audience të tillë, në një klub kaq të madh. Jam shumë kureshtar të di se si do të vijojë sezoni aktual, i cili është shumë i rëndësishëm.
Pozicioni i preferuar në fushë? Në fakt unë mund të luaj si qendërsulmues, si një numër 10, si një 9 false dhe gjithashtu si një lojtar krahu. Mua thjesht më pëlqen të jem një lojtar i fazës ofensive, i cili i jep skuadrës sa më shumë që të jetë e mundur”, deklaroi futbollisti shqiptar i cili padyshim që është kthyer në një nga emrat më të lakuar të kampionatit polak gjatë këtyre muajve të fundit.