Java e 28-të e Superiores dhe që starton edhe fazën e katërt të Superiores do e gjejë Vllazninë kundër Erzenit. Shkodranët do i presin shijakasit nesër në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një duel mjaft interesant, duke parë se dy ekipet do kërkojnë reagimin ndaj njëra-tjetrës. Kjo për të dalur nga forma e dobët e javëve të fundit.
Por kurioziteti është më i madh për të parë Vllazninë. Kjo sidomos në krahun e tifozëve kuqeblu, ku të gjithë duan të shohin punën e Goce Sedloski. Trajneri nga Maqedonia e Veriut u emërua në krye të pankinës shkodrane në fillim të kësaj jave. Duke qenë një emërim surprizë dhe që pak kush e priste sepse para pak ditësh në krye të pankinës ishte vendosur Auron Miloti.
Aventura e ish-sulmuesit zgjati vetëm një ndeshje dhe tashmë ekipin shkodran do e drejtojë Sedloski. Një trajner me një mentalitet shumë sulmues, ku e ka treguar në vitet e tij të trajnimit. Me një futboll ku mendohet shumë për fazën sulmuese dhe spektalin në fushën e lojës. Një stil që patjetër i shkon shumë historisë dhe traditës së futbollit shkodran.
Të gjithë do jenë “sy e veshë” nesër në qytet. Për të parë nëse ish-mbrojtësi ka arritur të përcjellë idetë e tij tek skuadra gjatë kësaj jave që ka qenë nën drejtim. Patjetër tek skuadra pritet një reagim tjetër, duke parë që kampionati tashmë është në fazën e fundit dhe atë më të “nxehtë” të edicionit.
Endri ÇINARI