Dita e hënë do të shënojë një risi “të detyrueshme” në futbollin shqiptar. Për herë të parë, Asambleja e Përgjithshme e FSHF do të organizohet më rregullin e distancimit social, që do të thotë se do të zhvillohet nëpërmjet një video-konference.

Të gjithë anëtarët e FSHF do të jenë të lidhur me një sistem të përbashkët, nëpërmjet Microsoft Team dhe në këtë mënyrë do të zhvillohen punimet e kësaj Asambleje e cila zhvillohet në rrethana të pazakonta për shkak të pandemisë dhe rregullave të distancimit social që nuk lejojnë grumbullime zyrtare me më shumë se 5 persona të pranishëm, aq më tepër në ambiente të mbyllura.

FSHF kishte parashikuar që Asambleja e këtij viti të shërbente për të prezantuar zyrat e reja luksoze të këtij institucioni për të cilat shpenzoi miliona euro që normalisht duhej të shkonin për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Pandemia ia hoqi këtë mundësi dhe tashmë mbledhja më e rëndësishme e aktorëve të futbollit do të zhvillohet si një bashkëbisedim online. Do të jetë një eksperiencë e re dhe unike për shumë prej anëtarëve të FSHF, të cilëve zakonisht u mungojnë edhe gjërat më themelore si kompjuterët me lidhje interneti aktive në zyrat e tyre, ndaj do të jetë interesante të shihet se si do funksionojë kjo Asamble “online”. /vipsport