Çiklistët e Vllaznisë bëhen gati për një tjetër garë kombëtare. Pasi kanë marrë pjesë pak ditë më parë në kupën “Sali Hima” që u zhvillua në Tiranë dhe ata bënë një paraqitje shumë të mirë, këtë herë do të marrin pjesë në kupën e familjes Muriqi që Federata Shqiptare e Çiklizmit organizon në nderim të pjestarëve të kësaj familje që kanë dhënë shumë për çiklizmin shkodran dhe atë shqiptar. Kjo kupë do të zhvillohet ditën e hënë dhe në të do të marrin pjesë të gjithë ekipet e vendit, mes tyre padyshim edhe Vllaznia e Shkodrës. Itinerari i kësaj etape do jetë me nisjen nga Tirana dhe mbërritjen në Shkodër mesditen e së hënës.

Gara do jetë e ndarë sipas moshave dhe ekipi i Vllaznisë do të marrë pjesë në kategorinë e kadetëve ngaqë të gjithë sportistët i ka nën moshën 17 vjeç. Sipas trajnerit Sabetin Hoxha, pretendimet e ekipit të tij janë për të zënë vend të parë sepse edhe përgatitja që kanë bërë prej kohësh është e tillë. Çiklistët Bruno Kola, Rais Ferhati, Sabah Alija, Rigers Velija, Gjergj Zefi e të tjerë, po kalojnë një formë shumë të mirë dhe kjo pritet të japë frutet e veta edhe në garat e së hënes. Fakti që Federata nderon familjen Muriqi në fakt është shumë domethënës për të lartësuar pjestarët e kësaj familje, duke nisur nga i madhi Fadili, për të vazhduar me Ganinën, Ruzhdinë dhe më të fundit, Fuatin. Të gjithë ata nuk jetojnë më megjithatë kujtimi dhe vepra e tyre do mbesë gjatë në mendjen e të gjithëve por edhe në historinë e këtij sporti.

© shkodrasport.com