Skuadra e Kamzës, pas afrimit më të fundit meksikanit Izazola, po mendon edhe për ndryshime të tjera. Priten disa largime në formë huazimi për ata futbollistë që janë ende nën kontratë, për të cilët kanë nisur ehe bisedimet e nevojshme. Teksa është formatuar sulmi, me afrimin e meksikanit, një tjetër problematikë vjen bashkë me të.
TË HUAJT
Afrimi i fundit e çon numrin e të huajve në tetë, ndërkohë që rregulli lejon vetëm katër gjatë lojës. Natyrshëm që kjo situatë të bën të mendosh se do të ketë ndonjë largim, sidomos nga lojtarët e huaj, për faktin se do të jetë shumë e vështirë për trajnerin Gjoka që të alternojë minutazhin e secilit. Drejtuesit, nga ana e tyre, po mendojnë lojtarët që mund të largohen, ose duke i lënë të lirë, ose duke i huazuar në ekipe të tjera. Megjithatë, drejtuesit paralajmërojnë se do të ketë edhe prurje të tjera, por kryesisht do të jenë shqiptarë të Kosovës që u përkasin reparteve të mbrojtjes dhe mesfushës.
MANGËSITË
Kamza do të ketë mundësitë dhe kapacitetin për të marrë 4 mbrojtës, që do të dublohen me ato aktualë. Kjo ishte dhe një mangësi që u vërejt gjatë pjesës së parë të kampionatit. Kamza këto vështirësi i tregoi edhe në rezultatet e marra, ku në 18 javë kampionat arriti të grumbullonte 15 pikë duke u pozicionuar në vendin e nëntë. Kjo bëri që lufta për mbijetesë të jetë e ndezur. E për këtë, merkatoja e këtij dimri duhet të jetë e suksesshme për të nxjerrë mësimet nga periudha që shkoi. Presidenti Qarri mësohet të ketë dhënë garancinë se do të jetë një Kamzë ndryshe, më e përforcuar dhe nuk që do të tentojë të sigurojë mbijetesën.