Në tri ndeshjet e lu ajtura në 2022- shin, Dinamo është përballur me Kukësin, Tiranën dhe Partizanin, ku i ka provuar të tria rezultatet, përkatësisht fitoren, humbjen dhe barazimin. Ka shënuar 2 gola dhe ka pësuar po aq.

Nuk janë rezultate mbresëlënëse, por po të kemi parasysh kundërshtarët e dy ndeshjeve derbi dhe Kukësin, si dhe nivelin e lojës që ka zhvilluar Dinamo, mund të thuhet se skuadra tani e ka forcën që i mungonte në pjesën e parë të sezonit.

Ndoshta ndaj Partizanit u ndie lodhja e të luajturit 3 ndeshje brenda një jave, apo edhe mungesa e disa lojtarëve.

SITUATA– Kapiteni Agim Ibraimi, në një prononcim për “Panorama Sport” vë theksin te fakti se Dinamo aktuale është goxha më ndryshe, më solide dhe më e kompletuar.

“Kanë qenë tri ndeshje shumë të vështira dhe shumë impenjative këto që kemi zhvilluar me rifillimin e sezonit. Kemi përballuar skuadrat më të forta të kampionatit. Me Kukësin dhe Tiranën kemi kontrolluar lojën, kemi qenë skuadra që ka bërë më shumë pasime dhe kjo tregon diçka.”

“Me Partizanin duhet pranuar se u ndie lodhja, ishte një kohë shumë e shkurtër për t’u ndeshur me tre kundërshtarë të fortë. Po ashtu, patëm edhe dëmtimet që na e vështirësuan pak punën.”

:Unë do të thosha se kemi bërë lojëra të mira, skuadra në përgjithësi ka funksionuar dhe kjo është pozitive”, u shpreh fillimisht Ibraimi, autori i golit të barazimit me penallti në derbin e Kupës me Partizanin.

KUALIFIKIMI NË KUPË – Sa shanse ka Dinamo të shkojë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë pas atij barazimi në ndeshjen e parë? Ibraimi ka bindjen se skuadra e tij do të kualifikohet. “Besoj shumë te kualifikimi, madje mund të them se jam i bindur. Besimin tim e bazoj tek ajo që shoh përditë në skuadër, por edhe nga paraqitja në tri ndeshjet që kemi luajtur këtë vit. Barazimi lë gjithçka të hapur, megjithatë unë mbetem i bindur se do ta eliminojmë Partizanin”, vijoi më tej numri 10 i skuadrës dinamovite.

KONKRETIZIMI – Në gjithë ndryshimin që ka bërë Dinamo pas merkatos së dimrit, kapiteni sheh vetëm një problem. Sipas tij, skuadra duhet të jetë më konkrete në sulm.

“E thashë që jemi përmirësuar shumë si skuadër në shumë aspekte, por mendoj se duhet të jemi më konkretë në sulm, të besojmë më shumë se mund t’i shfrytëzojmë rastet për shënim që krijojmë në portën kundërshtare. Në fund të fundit është ajo që vlen në futboll, goli dhe rezultati.”

“Loja e mirë të jep besim, por duhet të bëjmë diçka edhe sa i takon efikasitetit në sulm. Duke e rregulluar edhe këtë pjesë them se do të rritemi dhe do të jemi superiorë ndaj kundërshtarëve”, përfundoi Agim Ibraimi, lojtari i vetëm që nuk ka munguar asnjëherë në formacionin e Dinamos.