Nga Maringlen ZHIVANI
Tek KF Murlani kanë nisur largimet e para. Në fakt, bëhet fjalë për futbollistë që pjesën e parë të sezonit kanë luajtur si titullarë për këtë ekip dhe në këtë mënyrë, shtohen më tepër hallet për Murlanin dhe trajnerin e saj Vahedin Pepaj. Kështu, nga sa mësohet, futbollistët e parë që janë larguar janë mbrojtësi Jordan Nika, i cili momentalisht po stërvitet tek Basania.
Ndërkohë, mësohet se edhe portieri Lensi Çaku dhe mbrojtësi i majtë Gjergj Nika pritet të firmosin tek skuadra e Tërbunit. Po ashtu, një largim tjetër është edhe i Ari Djepaxhisë, që momentalisht është angazhuar me Vllazninë e futsallës, por nuk përjashtohet mundësia që t’i bashkohet edhe ndonjë skuadre tjetër në Kategorinë e Dytë.
Në fakt, duket se arsyeja e lëvizjes së tyre është momenti jo fort pozitiv që po kalon Murlani, si nga ana e renditjes në tabelë, ashtu edhe nga ana financiare që duhet thënë se ka munguar tek ky ekip, si pasojë e vështirësive që kanë patur drejtuesit me skuadrën.
Largimi i këtyre futbollistëve padyshim që do të krijojë probleme për Murlanin, sepse dy mbrojtësit Nika, portieri Çaku dhe mesfushori Djepaxhia kanë qenë lojtarë të rëndësishëm për trajnerin Vahedin Pepaj dhe tashmë duhen gjetur të tjerë për t’i zëvendësuar, edhe pse një gjë e tillë duket shumë e vështirë, lidhur kjo edhe me situatën financiare.
Për momentin, KF Murlani ndodhet në vendin e fundit në renditje dhe ndoshta edhe mbijetesa pritet të jetë shumë e vështirë për këtë ekip. Megjithatë, ata do të jenë në garë deri në fund të sezonit për të mos rënë një Kategori më poshtë./www.shkodrasport.com/