Eliminimi i Kukësit nga Liga e Kampionëve dhe dy paraqitjet zhgënjyese ndaj Valetës, duket se e kanë bërë kryesinë e klubit që të mendojnë edhe njëherë për organikën që kanë.

Me ardhjen e teknikut Armando Cungu në krye të stolit të Kukësit, pritet që të ketë disa lëvizje të tjera, duke qenë se Cungu nuk është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion.

Burime të sigurta pranë klubit verilindor, kanë treguar për “VIP Sport” se Donjet Shkodra është lojtari i radhës që do të largohet nga Kukësi. Largimi i tij, pritet të bëhet pas Kupave të Europës, duke qenë se Kukësi luan në turin e tretë të “Europa League”.

Të njëjtat burime, tregojnë se destinacioni i ardhshëm i mesfushorit nga Kosova, është kampionati belg, aty ku edhe Shkodra ka pasur vitet më të mira të karrierës.

Shkodra duket se nuk bën pjesë në planet e teknikut Cungu dhe kjo u pa edhe në takimin e fundit që Kukësi humbi ndaj Karabakut, ku 29-vjeçari u aktivizua në minutën e 84, ndërkohë që në sezonin e kaluar, ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm. /Vipsport/