Pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv për ditën e startit të Kategorisë Superiore, edicioni 2017-2018, FSHF-ja ka vendosur që të vijojë më tej me përcaktimin e kalendarit të ri. Kështu, ditën e martë, më 11 korrik, në ora 11:00, në ambientet e FSHF-së do të hidhet shorti i kampionatit të Kategorisë Superiore për edicionin e ri. Pas hedhjes së shortit do të përcaktohen edhe të gjitha javët e kampionatit të ri kombëtar.

Në hedhjen e shortit do të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e klubeve, prezentë në Superiore për edicionin 2017-2018. Në këtë sezon të ri të kampionatit do të rivalizojnë mes tyre këto skuadra: Kukësi, Skënderbeu, Partizani, Luftëtari, Vllaznia, Flamurtari, Teuta, Laçi, Lushnja dhe Kamza. Këto dy të fundit janë debutuese, por jo për herë të parë në Superiore, ndërkohë që elitës së futbollit shqiptar do t’i mungojë për herë të parë skuadra më e titulluar në Shqipëri, Tirana.

© shkodrasport.com