Deri tani, FSHF-ja e ka kaluar çështjen e licencimit të kubeve, duke mbyllur njërin sy, në ndonjë rast edhe të dy sytë.
Por tashmë situatën e ka marrë në dorë vetë UEFA, që në këtë drejtim nuk fal dhe klubet shqiptare do ta kenë shumë të vështirë të marrin licencën.
Problematika është e gjerë në këtë drejtim, por më së shumti ka të bëjë me borxhet e prapambetura, që shumë klube kanë mbartur nga e kaluara e tyre.
Flamurtari dhe Vllaznia janë dy skuadra me më shumë probleme në këtë drejtim.
Siç bën me dije “Sport Ekspres”, klubi shkodran ka 1 miliard lekë detyrime të pashlyera në Tatime. Një shumë jashtëzakonisht e madhe, që nuk dihet si mund të shlyhet.
Po ashtu, edhe klubi vlonjat ka borxhe ndaj ish-lojtarëve të tij në vitet e fundit.
Administratori Sinan Idrizi ka bërë pagesa të konsiderueshme, duke likuiduar shumë ish-lojtarë, por lista e atyre që presin të shlyen mbetet sërish e gjatë në Vlorë dhe rreziku për t’u licencuar është evident.
Por nuk janë vetëm Flamurtari dhe Vllaznia me katro probleme, sepse edhe klubet e tjera në Shqipëri janë në situata të ngjashme. Tani gjithçka e ka në dorë UEFA, që vështirë se mund të tolerojë. /Vipsport/