Dilemat se kur do të nisin punimet në stadiumin “Loro Boriçi” duket se po marrin fund. Ato do të nisin javën që vjen. Lajmi është bërë I ditur nga përfaqësuesi I Federatës Shqiptare të Futbollit Arben Dervishaj. Ky I fundit është anëtar I Komitetit Ekzekutiv të kësaj Federate dhe është njeriu I caktuar për çështjet e stadiumeve. Ai ka qenë prezent pasditen e së premtes në Shkodër bashkë me disa inxhinierë dhe specialist të fushës së ndërtimeve dhe kanë parë nga afër gjendjen aktuale të stadiumit duke përcaktuar edhe vendin se ku do nisë puna fillimisht.
Bashkë me Dervishajn është parë edhe inxhinieri shkodran, njëkohësisht edhe projektuesi I gjysmës tjetër të stadiumit, Reshat Koçkiçi. Por siç dihet, projekti I ri I këtij të fundit nuk është marrë për bazë sepse është miratuar tjetër projekt për rikonstruksionin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi”. E rëndësishme është që ky stadium të ndërtohet dhe nga ajo çfarë është thënë ditën e djeshme, pritet që ditën e mërkurë, në Shkodër të jetë vetë kryeministri Edi Rama për të inaguaruar nisjen e punimeve. Nga ajo çfarë është thënë, mendohet që punimet të kryhen me intensitet në mënyrë që të kapet afati I zhvillimit të ndeshjes me Serbinë pikërisht në këtë stadium. Pas ndërtimit të plotë, kapaciteti do të jetë 17 500 vende dhe kuptohet që “Loro Boriçi” do të marrë një formë krejt tjetër pas përfundimit edhe të dy tribunave të reja.
© shkodrasport.com