Vllaznia do të luajë ndeshjen e fundit të këtij viti të enjten në “Loro Boriçi” ndaj Teutës, në ora 15:45. Megjithatë, si po mbyllet për kuqeblutë ky vit? “Shkodra Sport” ju sjell disa të meta ose ndryshe problematika të ekipit shkodran në mbyllje të 2022-shit.

Realisht, problematika e padiskutueshme dhe kryesore e Vllaznisë është mbrojtja. Skuadra që pëson 14-gola në 14-ndeshje çalon në mbrojtje. Kjo ndodh me Vllazninë, që nëse kërkon të fitojë këtë kampionat, duhet me patjetër të gjejë disa zgjidhje të duhura në defensivë.

Dëmtimet apo problemet fizike janë ato që e kanë ndëshkuar më së shumti Vllazninë në këtë sezon. Mjekëve të ekipit do t’u duhet të punojnë fort në vazhdim për të rikuperuar futbollistë si Latifi, Juriç, Bulatoviç apo edhe Shehi së fundmi. Kushdo që nuk ia del të luajë në ndeshjet e rradhës në janar, është humbje e madhe.

Ndërkohë, dëmtimet e kanë detyruar Vllazninë të mbetet pa rezerva luksi. Edhe ndaj Kastriotit, por edhe në ndeshjet e tjera të mëparshme, Josa nuk ka pasur shumë alternativa dhe ky fakt përbën një problem mjaft serioz.

Nëse nuk fitohet ndeshja e rradhës ndaj Teutës, Vllaznia mund të mbyllë vitin e katërt rradhazi pa triumfuar në përballjen e fundit të 2022. Historia e ndeshjeve të fundit të vitit është kundër tyre dhe kjo ka padyshim ndikimin e vet.

Kjo fitore duhet më shumë edhe për tifozët, por edhe për drejtuesit dhe presidentin Alban Xhaferi, që e konsiderojnë të tepërt një seri hapash fals kaq të gjatë. Realisht, i gjithë tensioni dhe presioni i tifozëve, drejtuesve dhe opinionit sportiv në këtë fund të vitit peshon mbi këmbët e futbollistëve.
Maringlen ZHIVANI