Faza e fundit e kampionati shqiptar të futbollit do marrë formë këtë fundjavë. Kjo me ndeshjet e javës së 28-të, ku në fushë do zbresin me të vërtetë disa çifte interesante. Vllaznia, nga ana e saj që tashmë do drejtohet nga trajneri i ri, Goce Sedloski, do ketë përballë Erzenin. Me shijakasit që kanë qenë të pakalueshëm për kuqeblutë këtë sezon.
Kjo tregohet edhe nga statistikat e 3 fazave të para, ku ekipi i drejtuar nga Xhevahir Kapllani është superior ndaj kuqebluve. Në fazën e parë, që përkon me ndeshjen e parë të këtij sezoni, Erzeni e mposhti Vllazninë me rezultatin 1-0. Të gjithë e konsideruan surprizë, por shijakasit do e tregonin veten gjatë edicionit e po ashtu në fazën e dytë në Shkodër.
Në “Loro Boriçi”, 15 minuta nga fundi, Vllaznia kryesonte 2-0 kundër Erzenit. Por u arrit në fund në shifrat 2-2, duke mos arritur të merrte pikët e plota. Po ashtu në fazën e tretë, në një ndeshje spektakolare në Durrës, Erzeni fitonte 3-2 kundër Vllaznisë. Duke i marrë 7 pikë nga 9 të mundshme në përballjet e këtij sezoni me Vllazninë.
Kësaj rradhe pritet sërish një duel shumë interesant në Shkodër, e tek Vllaznia duan me patjetër vetëm 3 pikë. Kjo për të mposhtur edhe shijakasit, të cilët së bashku me Egnatian janë dy skuadrat të cilat Vllaznia nuk ka arritur ti mposhtë këtë sezon. E me timonierin e ri në rradhët e shkodranëve, të gjithë presin që diçka të ndryshojë.
Endri ÇINARI