Tirana dhe Teuta përballen mes tyre të dielën dhe trajnerët Nevil Dede dhe Edi Martini mund të gëzohen për dy rikthime të rëndësishme. Bardheblutë do të paguajnë gjobën për të shlyer dënimin e mbrojtësit Marsel Ismajgeci.

Pasi mungoi kundër Kukësit, atij i lind e drejta që me 1 milion lekë të mund të heqë pezullimin për ndeshjen e radhës. Me Vangjelin që do të mungojë për arsye dëmtimi, te Tirana e shikojnë të rëndësishme praninë e Ismajgecit dhe kështu dënimi do shlyhet me gjobë.

Te Teuta ndërkohë i gëzohen rikthimit të Albano Aleksit, mesfushorit që në Korçë nuk ishte për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Prej të verdhëve edhe Vllaznia kishte dy mungesa në Fier kundër Apolonisë.

Ardit Krymi dhe Eni Imami janë lojtarët që e kanë shlyer pezullimin dhe të takimin e radhës kundër Skënderbeut në Shkodër trajneri Thomas Brdaric mund t’i llogarisë pjesë të skuadrës. /abcnews/