Isko Alarkon është kthyer në një të padëshiruar te skuadra e Real Madrid. Lojtari i cili ishte thelbësor në planet e Zidan, këtë vit është lënë plotësisht në hije, fillimisht nga Lopetegui e së fundmi nga Solari. Ndaj largimi i tij duket gjithnjë e më i mundshëm, ndoshta që në janar.
Mendohej se mesfushori spanjoll do të shkonte te Mançester Siti, ku e pret krahëhapur Pep Guardiola, por duket se për të ka hyrë në garë edhe PSG, ndonëse ky i fundit më parë duhet të zgjidhë problemet me Fair Play Financiar.
Sipas mediave franceze, Naser Al Khelaifi është takuar me Pako Alarkon, babain dhe njëkohësisht menaxherin e Iskos. Palët kanë diskutuar për gatishmërinë e spanjollit për t’u transferuar në Paris, por njëkohësisht edhe për shifrat e larta që do të kërkonte Reali për të lënë të lirë futbollistin.
Gjithsesi, parisienët kërkojnë një zgjidhje për të anashkaluar rregulloret e UEFA-s, pasi trajneri Tuhel u ka kërkuar që të përforcojnë mesfushën dhe një emër si Isko sigurisht që do t’i bënte shumë punë. /vipsport/