Vllaznia ka nisur ditën e djeshme punën për sezonin e ri. Kuqeblutë kanë zbritur në fushën e stërvitjes ku kanë zhvilluar seancën e parë. Nën drejtimin e Brdaric dhe me prurjet e reja, shkodranët shpresojnë të kapin sa më shpejt formën e duhur. “Fytyra të reja” kishte edhe në staf, ku tashmë siç e kishte paralajmëruar “Shkodra Sport”, pjesë e stafit si zëvendës trajner do jetë Vioresin Sinani.
Gjithashtu me ekipin ishin bashkuar edhe afrimet e reja në merkato si: Deliu, Kahrimanovic, Qato apo edhe Bajrami. Por pavarësisht afrimeve të lojtarëve tashmë të konfirmuar, kuqeblutë nuk e kanë humbur vëmendjen ndaj talenteve të akademisë. Gjatë kësaj periudhe janë lidhur me kontrata 3-vjeçar, futbollistë që janë pjesë e skuadrës që edicionin e shkuar.
Duke nisur që nga portieri Aron Jukaj, mesfushori Ersi Zaganjori apo edhe sulmuesi Kevin Dodaj. 3 nga lojtarët më të spikatur tek moshat që kishin hapësirat e tyre pavarësisht se jo të shumta në sezonin që u mbyll në maj. Por gjithashtu shkodranët kanë arritur të “blindojnë” edhe elementë të tjerë të spikatur të ekipit të të rinjve.
Emra të tjerë që i janë bashkuar kuqebluve me kontrata profesioniste janë edhe Klajti Halili dhe Hazret Shimaj. Duke treguar kështu një vlerësim edhe për punën e akademisë Vllaznia. Tashmë pritet se si do trajtohen të rinjtë tek shkodranët. Nëse do i jepen hapësira në ekipin e parë apo do huazohen për të marrë minutat dhe eksperiencën e nevojshme.
Endri ÇINARI