Trajneri Shpëtim Duro, gjatë seancës së fundit për vitin 2012, u ka dhënë përgjigje specialistëve për elementin e ri që ka kjo skuadër. Jo rrallëherë specialistë dhe tifozët e kanë fajësuar atë për mosaktivizimin e elementit të ri. Ja se si ka qenë përgjigja e teknikut: “Të rinjtë kanë probleme dhe shumë për të bërë për ta merituar fanellën e Vllaznisë. Mendoj se nuk janë të gatshëm për Vllazninë, pasi nuk kanë nivelin e Vajushit, Balës apo Sukajt, të cilët që në moshën 18-vjeçare kanë mbajtur peshën e skuadrës. Lojtarët aktualë janë shumë larg nivelit të atyre”.
Lojtarët e rinj, jo vetëm që nuk kanë mbetur të kënaqur, por kanë replikuar në distancë me të sa i përket moshapësirës për aktivizim. Sipas tyre, Duro u ka dhënë shumë pak hapësirë, për të mos thënë se për disa prej tyre ka munguar. Duro ka aktivizuar në takimet e fundit Demën, ndërsa për të tjerët me në krye Bardullën, Gurin, Krujën, Lekaj dhe Gjinin minutat kanë qenë të limituara. Por, edhe sipas lojtarëve të tjerë, që s’janë pjesë e Vllaznisë, duke filluar nga Hasani, Karakaçi, Erkoçeviç, Tafa etj., predispozicioni i Duros për t’u dhënë dorën të rinjve ka munguar.
ADMIR URUÇI