Në ndeshjen e fundit të Vllaznisë, atë të luajtur ditën e dielë ndaj Teutës që u fitua nga shkodranët me rezultatin 2-0, ka rënë në sy loja e tre futbollistëve të rinj kuqeblu. Bëhet fjalë për tre mesfushorët e qendrës, Alsid Tafili, Florind Bardulla dhe Arsid Kruja. Mosha e tyre në fakt është e ndryshme megjithatë mund të quhen ndoshta “zbulimi” I kuqebluve këtë sezon. Vetë ata, duke folur për gazetën, kanë shprehur kënaqësinë që po u jepet mundësia për të kontribuar për Vllazninë dhe për më tepër, në një moment që skuadra ka edhe rezultate positive.
Tafili. Mesfushori 25 vjeçar ka tentuar disa herë të provojë të luajë si titullar me skuadrën e tij të zemrës- Vllazninë, por për arsye të ndryshme ndoshta nuk I është dhënë mundësia ta bëjë këtë gjë. Ka luajtur me Laçin, me Teutën apo dhe në Kosovë me Lirinë e Prizrenit ndërkohë që sivjet ka qenë në shumicën e kohës në formacion me Vllazninë. Ai ndjehet I lumtur për këtë gjë dhe prandaj shprehet: “Të them të drejtën jam duke kaluar momente të mira. Po luaj rregullisht në formacion me Vllazninë, çka ka qenë dhe ëndërra ime e hershme dhe kjo më ka bërë të lumtur. Aq më tepër që edhe skuadra gjatë kësaj periudhe ka bërë paraqitje të mira dhe kjo është edhe më e rëndësishme. Detyra ime është të vazhdoj të punoj fort edhe në të ardhmen për t’u rritur edhe më tepër për t’I shërbyer në maksimum kësaj skuadre”. Kuptohet që më e rëndësishme për të tashmë është ta mbajë këtë vend si titullar dhe Tafili e di mjaft mirë këtë gjë prandaj premton të punojë fort për këtë gjë.
Bardulla. Ky është sezoni I tij I dytë me ekipin e parë. Vitin e kaluar ndoshta ka qenë disi I pafat me dëmtime të njëpasnjëshme dhe e njëjta gjë I ndodhi edhe në fazën e parë të këtij kampionati. Por me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Artan Bushati, për 20 vjeçarin Florind Bardulla gjërat kanë ndryshuar. Ai po luan rregullisht dhe përveç kësaj po bind çdo ditë e më tepër për formën e tij. Edhe vetë është I kënaqur me këtë shans që po I jepet dhe falenderon trajnerin. “Kënaqësia e çdo futbollisti të ri është të luaj titullar dhe kur e bën këtë tek një skuadër me emër si Vllaznia,ë shtë kënaqësi e dyfishtë. E di që jam ende herët por duhet të vazhdoj në këtë rrugë që kam nisur. Sigurisht që do kem shumë punë përpara por jam I përgatitur për t’I përballuar këto sfida”- ka thënë ai. Roli I tij është ai I mesfushorit të qendrës por është provuar të luajë edhe në krah por edhe si sulmues I dytë dhe paraqitjet e tij kanë qenë deri tani me nota positive megjithatë kjo nuk mjafton sepse I duhet shumë për të krijuar profilin e një futbollisti të rëndësishëm për Vllazninë.
Kruja. 19 vjeçari shkodran ka ardhur nga Akademia Vllaznia dhe konsiderohet një futbollist me shumë të ardhme. Trajneri Bushati ka filluar t’I besojë madje në ndeshjen e fundit me Teutën e ka aktivizuar për 90 minuta në fushë dhe ai ka bindur. Madje ka marrë edhe komplimentat e trajnerit teksa ai ka vlerësuar mënyrën se si ky mesfushor luan, a thua se ka shumë kohë që është pjesë e ekipit të parë. Vetë Kruja I pyetur në lidhje me këtë takim, ka thënë: “E rëndësishme për mua është që të jem në vëmendjen e trajnerit dhe sa herë që ai të më besojë, unë të jap maksimumin. Sigurisht që është herët për të folur në media sepse për mua më shumë rëndësi ka të stërvitem dhe të bind trajnerin sepse të premtoj gjëra për të ardhmen”.
Garancia. Vllaznia duket se ka një të ardhme të sigurtë përpara me elementin e ri që ka në dispozicion. Dhe nuk janë vetëm tre futbollistët e mësipërm. Ka edhe të tjerë. Antonio Marku, Sindrit Guri e Bekim Dema që luajtën ndaj Teutës, janë tre të tjerë që duhen patur në konsideratë. Pa harruar edhe Arsen Hajdarin, Jurgen Gjinin e ndonjë tjetër që me moshë disi pak më të madhe, por që garantojnë për të ardhmen.
Admir URUÇI