Faza e parë e kampionatit të katërt kombëtar të futbollit të femrave gradualisht po shkon drejt fundit. Pikërisht të shtunën, do të luhen ndeshjet e javës së shtatë, që është e fundit e kësaj faze. Ada kryesuese e deritanishme, do të luajë në transfertë me ekipin e vendit të fundit në renditje- Dardaninë, e cila deri më tani nuk ka arritur të marrë qoftë edhe një pikë të vetme. Duke qenë kështu, parashikohet një ndeshje e lehtë për kryesuesen aktuale dhe kampionen në fuqi të vendit. Ndeshja Dardania- Ada do të luhet të shtunën në orën 14.00 në fushën e kompleksit të ekipeve kombëtare në Kamëz.

Ndërkohë në Shkodër do luajë skuadra e vendit të dytë- Juban Danja. Praktikisht për të do jetë një ndeshje më e vështirë ngaqë ajo do presë ekipin e vendit të tretë Kinostudion. Ndeshja do të luhet në orën 12.00 të së shtunës në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Juban Danja ka 14 pikë ndërsa Kinostudio një pikë më pak. Sigurisht që nuk do jetë një ndeshje aspak e lehtë pavarësisht se skuadra shkodrane ka një përbërje më të mirë. Juban Danja vjen në këtë ndeshje pas spektaklit të organizuar ditën e mërkurë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me artistët e teatrit “Migjeni”, ndeshje e cila dhuroi shumë emocione për shikuesit e shumtë që ishin të pranishëm. Ekipi tjetër shkodran i futbollit të femrave- The Door, do të presë po në Shkodër Shkëndinë e Durrësit ndeshje e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 10.00 në “Reshit Rusi”.
www.shkodrasport.com