Ditën e shtunë në Shkodër do të zhvillohet një miqësore shumë interesante për futbollin e femrave. Përballë njëra-tjetrës do jenë ekipi i Juban Danjës i saposhpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për këtë edicion dhe ekipi i Trepçes së Kosovës, një nga më të mirët e kampionatit atje. Kjo miqësore është kërkuar dhe rregulluar nga trajneri i ekipit kombëtar shqiptar Altin Rraklli me qëllim përzgjedhjen e elementit më të mirë për skuadrën e tij përfaqësuese nga ekipi kosovar pasi nga ai shkodran ka më tepër njohje dhe e di nivelin e vajzave. Lajmin për zhvillimin e kësaj miqësoreje e ka konfirmuar për gazetën online www.shkodrasport.com vetë presidenti i ekipit Juban Danja, Ferdinand Jaku që ka thënë: “Ka qenë trajneri i ekipit kombëtar Altin Rraklli që ka kërkuar këtë miqësore dhe ne kemi pranuar të luajmë sepse i shërben për mirë edhe ekipit tonë. Rraklli kërkon të shohë ekipin e Trepçes edhe për të parë elementin e tij për të përzgjedhur ndonjë nga vajzat për ekipin përfaqësues. Për zhvillimin e kësaj miqësoreje, kemi biseduar me administratorin e klubit Vllaznia, z.Kujtim Shaba dhe ai na ka vënë në dispozicion fushën sportive “Reshit Rusi” për të shtunën e ardhshme ndërkohë që ka mbetur për t’u pëcaktuar vetëm orari i zhvillimit të kësaj ndeshje”.
www.shkodrasport.com