Dita e shtunë do të jetë ndoshta shumë vendimtare për fatin e futbollit shkodran.

Në rast se Kamza fiton ndaj Laçit, Vllaznia është edhe matematikisht një kategori më poshtë.

Po pikërisht atë ditë, në Shkodër ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar një festë. Ajo e shpalljes kampion të ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë.

Në mesditë do të luhet ndeshja e fundit e kampionatit, ajo ndaj Pogradecit dhe menjëherë pas saj, përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, do t’i dhurojnë vajzave shkodrane medaljet dhe kupën e ekipit kampion.

Por trajneri Nikolin Leka në një prononcim për “Shkodra Sport” thotë se festa e fitimit të këtij titulli, do të jetë thuajse formale.

“Nuk do jetë një festë e vërtetë. I gjithë ky qytet duket si në një ditë zie për shkak të faktit që ekipi i Vllaznisë (meshkujt) është shumë pranë rënies nga Superliga.

Nga kjo situatë, nuk mund të përjashtohet as ekipi i femrave. Vërtetë këto vajza kanë sakrifikuar shumë dhe i duhet të gëzoheni arritjes së këtij suksesi, por as ato nuk mund të gëzohen siç duhet”- është shprehur Leka.

Vllaznia femra të shtunën feston titullin e pestë kampion rradhazi, një skuadër që nuk njeh rivalë në këtë kampionat.
© shkodrasport.com