Tërbuni, në dy ndeshjet e para të kampionatit, ka marrë vetëm dy pikë. Askush nuk e priste këtë në Pukë, pasi mundësitë ishin që ekipi të arkivonte 6 pikët e plota në dy ndeshjet e luajtura, me Ilirinë në shtëpi dhe Adriatikun në Vorë.

Ekipi ka ndjerë ndërkohë mungesën e dy futbollistëve Temja dhe Filipi, të dëmtuar. Për gjendjen e ekipit si dhe sfidën e radhës me Basanian, shefi i klubit pukjan, Bujar Mehja, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Në dy takimet e para nuk kemi shkuar më shumë se barazimi. Parashikimet ishin që ekipi të merrte më shumë në këto takime. Nuk na ka munguar loja e bukur, por ekipi po ndjen mungesën e dy lojtarëve kryesorë që janë të dëmtuar. Shpresojmë të rikuperohen sa më shpejt e të kontribuojnë për ekipin.

Objektivi ynë është Kategoria e Parë. Tërbunit nuk i takon të konkurrojë në këtë nivel. Të shtunën do presim Basanian dhe ekipi po përgatitet fort nën urdhrat e trajnerit Bardhi. Vlerësimi për kundërshtarin është i lartë dhe jemi të vendosur për të marrë tri pikët”.

Te njejten gje pretendojne edhe ne kampin tjeter dhe si rrjedhoje do te jete 90 minuteshi i se shtunes ai qe do te vendose per kete gje. Te dy ekipet kane pretendimet e tyre, megjithate do te jete fusha e lojes qe do te tregoje vlerat e secilit.