Përveç Vllaznia A që do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht delikate në Vlorë ndaj Flamurtarit, edhe Vllaznia B ka për të luajtur të shtunën një sfidë po kaq të rëndësishme.
Ajo pret në Shkodër ekipin e Tërbunit të Pukës. Një ndeshje në të cilën varen shumë gjëra sa i takon fatit të ekipit shkodran për vazhdimësinë e qëndrimit në kategorinë e parë.
Edhe në rast barazimi, kuqeblutë e trajnerit Kraja thuajse nuk kanë më shanse për mbijetesë ndërsa fitorja do t’u siguronte plej-autin dhe pse jo edhe qëndrimin.
Për këto arsye, ndeshja ndaj pukjanëve që do të luhet të shtunën në orën 17.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”, po vlerësohet maksimalisht.
Skuadra tashmë i ka lënë pas problemet që pati në fillim të kësaj jave me rrogat dhe i është kthyer normalitetit.
Problem në fakt është mungesa e lojtarëve nga ekipi i parë. Disa dëmtime që kanë patur lojtarët e tij, kanë reduktuar shumë numrin e futbollistëve që do të jenë në dispozicion të ekipit B për këtë ndeshje.
Trajneri Ervis Kraja megjithatë është i bindur se skuadra e tij mund t’ia dalë. Duke patur edhe mbështetjen e tifozëve shkodranë, padyshim që pritet fitorja.
Kjo e fundit do të bënte që Vllaznia B të siguronte vendin e parafundit në renditje dhe të priste pastaj me shumë interes sfidat e javës së fundit, të cilat edhe mund t’i japin buzëqeshjen përfundimtare të sigurimit të një vendi në kategorinë e parë edhe për sezonin tjetër.
Në fakt kjo do të ishte një arritje sepse ekipi gjatë gjithë kampionatit është shoqëruar nga problematika të shumta megjithatë, qëndrimi i tij në këtë kategori do të ishte diçka shumë pozitive për të gjithë futbollistët e rinj që dalin nga Akademia.
© shkodrasport.com