Nga Maringlen ZHIVANI
KF Shiroka-Partizani B do të jetë kryesfida e kësaj jave në Kategorinë e Tretë, e cila nis sprintin e saj edhe njëherë tjetër pas pauzës gjatë kësaj periudhe. Klubi shkodran pret të shtunën në orën 14:00 në “Reshit Rusi” të kuqtë e kryeqytetit për të nisur fazën e dytë të kampionatit.
Shiroka ka bërë disa afrime të rëndësishme gjatë kësaj merkatoje të janarit dhe normalisht që, edhe ato pritet të kenë ndikimin e tyre në këtë ndeshje. Megjithatë, për këtë sfidë, KF Shiroka kërkon mbështetjen e tifozerisë shkodrane, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale fton të gjithë tifozët për të qenë prezent në fushën sportive “Reshit Rusi”.
“Fazën e dytë të kampionatit e nisim në shtëpi përballë Partizani B. Të shtunën luajmë në Shkoder një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Për këtë, kërkojmë mbështetjen e tifozerise së mrekullueshme shkodrane. Bashkë me ju jemi më të fortë dhe besojme se do ia dalim për të marrë një rezultat pozitiv.” – shkruhet në postimin e KF Shirokës.(www.shkodrasport.com)