Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do rikthehet në fushën stërvitore ditën e martë. Shkodranët pas fitores me Laçin në shifrat 2-1 ditën e shtunë janë “shpërblyer” nga trajneri Brdariç. Në këtë mënyrë për t’i nisur të martën përgatitjet për ndeshjen e fundit të vitit 2024. Që do zhvillohet ditën e premte në orën 17:00, ku kuqeblutë vizitojnë Partizanin në Tiranë për t’i “vënë kapakun” vitit 2024.
Por problemet me dëmtimet nuk kanë të sosur në kampin shkodran. Emra si Gurishta, Gruda dhe Matouti dihet prej disa javësh që e kanë mbyllur vitin 2024. Por edhe titullarë të tjerë të skuadrës si dyshja e mbrojtësve Juriç-Stojanoviç nuk pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj “demave” në javën e 19-të të Superiores.
Po ashtu as Qato dhe Jago nuk japin optimizëm për një rikthim të shpejtë. Me dyshen që pritet të kthehet në stërvitje në fillimin e vitit 2025. Megjithatë “hallet” e Brdariç dhe Vllaznisë nuk mbyllen me kaq. Kjo pasi edhe Deliu dhe Spahija që dolën të dëmtuar nga loja në ndeshjen ndaj Laçit nuk pritet të jenë pjesë e sfidës me Partizanin.
Duke e dërguar kështu në 9-të numrin e futbollistëve të dëmtuar tek Vllaznia. Thuajse një formacion i plotë për kuqeblutë, që duket se janë të “mallkuar” këtë sezon. E me Brdariç që duhet të bëjë “shpikjen” e rradhës për të gjetur formacionin që do zbresë në fushë kundër Partizanit në duelin e fundit për vitin 2024./www.shkodrasport.com/