Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia i është rikthyer seancave stërvitore këtë të martë. Shkodranët, pas fitores me Laçin në shifrat 2-1 ditën e shtunë, kanë patur dy ditë pushim, ndërsa tashmë këtë të martë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij viti, që do të zhvillohet ditën e premte në orën 17:00 ndaj Partizanit në Tiranë.
Megjithatë, edhe në këtë ndeshje, Vllaznia do të ketë shumë probleme me dëmtimet, të cilat nuk kanë patur të sosur në kampin shkodran. Emra si Gurishta, Gruda dhe Matouti dihet prej disa javësh që e kanë mbyllur këtë vit, por edhe titullarë të tjerë të skuadrës si dyshja e mbrojtësve Stojanoviç dhe Juriç pritet të mos jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj “Demave” në javën e 19-të të Superiores. Poashtu, as Qato dhe Yago nuk do të rikthehen as në këtë ndeshje.
Megjithatë, “hallet” e Brdariç dhe Vllaznisë nuk mbyllen me kaq. Kjo pasi edhe Deliu dhe Spahija që dolën të dëmtuar nga loja në ndeshjen ndaj Laçit, nuk do të jenë pjesë e sfidës me Partizanin. Poashtu, një mungesë tjetër e madhe në ndeshjen ndaj Partizanit, pritet të jetë edhe portieri Kristi Qarri, i cili edhe ai ka pësuar një tërheqje muskulore në ndeshjen ndaj Laçit dhe vetëm, vitin e ardhshëm pritet që t’i rikthehet seancave stërvitore.
Kështu, numri i futbollistëve të dëmtuar tek Vllaznia shkon në 10, pothuajse një formacion i plotë, me kuqeblutë që duket se janë të “mallkuar” këtë sezon. Ajo ç’ka bën përshtypje është se shumica e futbollistëve që janë të dëmtuar, kryesisht janë për shkak të dëmtimeve muskulore.
Një situatë që duhet parë me vëmendje kjo, ku ndoshta mund të kenë ndikuar edhe ngarkesat stërvitore, kushtet e stërvitjes apo edhe ndonjë gjë tjetër, pasi 10-futbollistë të dëmtuar është një numër shumë i madh për një ekip futbolli. Megjithatë, trajneri Thomas Brdariç duhet të bëjë “shpikjen” e rradhës për të gjetur formacionin që do të zbresë në fushë kundër Partizanit në duelin e fundit për këtë vit./www.shkodrasport.com/