11 ditë para mbylljes së afatit përfundimtar të merkatos, te Vllaznia vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të tjerë lojtarë cilësorë. Skuadra duket ende jo e plotë dhe për këtë arsye, drejtuesit po punojnë intensivisht për të gjetur edhe të paktën dy lojtarë të tjerë.
Njëri prej tyre që mund të vishet kuqeblu është mbrojtësi shkodran Esin Hakaj. 24 vjeçari mësohet se ka prishur kontratën me ekipin turk ngaqë trajneri i tij nuk e kishte në plan si titullar dhe për këtë arsye, Hakaj duket se ka vendosur të kthehet në Shqipëri.
Vllaznia duket destinacioni i tij kryesor, ndonëse edhe Partizani po tenton t’i ofrojë një kontratë të re ish- lojtarit të saj. Në kampin kuqeblu ndërkohë përpos Hakajt, po shikohet mundësia për të gjetur edhe një sulmues tjetër cilësor.
Në fakt, skuadra ende nuk është parë ashtu si duhet në fushën e lojës. Në dy miqësoret me Burrelin dhe Tërbunin, trajneri Brdariç nuk ka hedhur në fushë formacionin që mendohet të jetë titullar në kampionat dhe për këtë arsye, ende nuk është e qartë forca e kësaj Vllaznie. Miqësorja e së dielës ndaj Tiranës mund të jetë ndoshta testi serioz në këtë drejtim.
Për më tepër që vjen një javë para finales së Superkupës ndaj Teutës. Në Shkodër tashmë duan ta shohin skuadrën e tyre vetëm në nivele të larta dhe ndonëse ka ende pikëpyetje për forcën e saj në krahasim me ekipet e tjera, tifozët janë entuziastë.
Sezoni i kaluar ka qenë i shkëlqyer për të dhe ai fare mund mund të përsëritet sërish. Për më tepër që në sezonin e ri avantazh do të jetë edhe prania e tifozëve në shkallët e stadiumit./SHKODRA-SPORT.COM/