Vllaznisë nuk i mungon potenciali këtë sezon, por realisht ekipi pavarësisht rezultateve, nuk është se ka bërë paraqitje pozitive. Megjithatë, një fitore ndaj Partizanit, praktikisht do të ketë shumë vlera, nëse skuadra e pason me të tjera. Në klub janë plot shpresë se do të vijë kthesa shumë shpejt dhe skuadra do të ngjitet më tej në klasifikim.

Objektivi fillestar i ekipit është që të koleksionojë nëntë pikë në tre ndeshjet e ardhshme dhe në letër, deri diku duket një objektiv i arritshëm me pak përkushtim të futbollistëve në fushë. Me pak fjalë, synimi i të besuarve të Josës është që të mbyllin fazën me 19-pikë, duke u rifutur në këtë mënyrë seriozisht në “shinat” e kampionatit.

Realisht, ky kampionat ka treguar se nuk ka skuadra të lehta, por Vllaznia mendohet se do të japë maksimumin për të bërë kthesën, qoftë në rezultate apo edhe në lojë. Shkodranët do të përballen me tri skuadra që në letër janë pretendente, teksa në fushë kanë surprizuar me paraqitjet dhe rezultatet e marra deri më tani, dikush për mirë dhe dikush për keq.

Fillimisht këtë të premte, shkodranët do të presin në shtëpi skuadrën e Partizanit. Sërish në Shkodër, objektiv mbetet fitorja. Të kuqtë vijnë pas humbjes në derbi ndaj Tiranës, por gjithsesi mund të kalohen. Për të vijuar më pas me një transfertë ndaj Laçit, me kurbinasait që kanë qenë një ndër surprizat negative të këtyre gjashtë javëve, ku kanë pësuar pesë humbje rradhazi.

Për të mbyllur fazën, më pas në fund, Vllaznia ka një ndeshje shtëpie me Bylisin. Praktikisht, ndeshje e kalueshme në letër, edhe pse bëhet fjalë për një ekip që për momentin qëndron më lart në renditje sesa skuadra e Vllaznisë. Mallakastriotët po kalojnë një formë të mirë, por gjithsesi mund të kalohen.

Këto janë tre ndeshjet e fundit të fazës së parë të Vllaznisë, pikërisht ndaj Partizanit, Laçit në transfertë dhe Bylisit në shtëpi. Në fakt, për këto ndeshje, trajneri Mirel Josa ka varuar shpresat nga reparti i sulmit kryesisht për të marrë rezultatet në ndeshjet në vijim.
Maringlen ZHIVANI