Vllaznia do të luajë të hënën në orën 18:00 në stadiumin “Arena e Demave” ndeshjen kundër Partizanit. Shkodranët do të kërkojnë ndryshimin e pozicionit në tabelë për t’u larguar nga vendet e fundit.

Skuadra vjen pas dy rezultateve jo fort pozitive dhe trajneri Qatip Osmani ka punuar më shumë me anën psikologjike të futbollistëve në ditën e sotme. Shkodranët, deri më tani, kanë arritur të shënojnë 12 gola dhe të pësojnë 11.

Gjatë seancës stërvitore të zhvilluar ditën e sotme, trajneri Osmani i ka pasur të gjithë futbollistët kryesorë në dispozicion dhe lajm i mirë është që nga lojtarët e formacionit nuk ka të dëmtuar, teksa është rikthyer edhe Esin Hakaj.

Ky i fundit po stërvitet me grupin, por kuptohet që forma e tij është larg asaj të duhurës, megjithatë për ndeshjen e së hënës pritet të grumbullohet dhe të jetë në stolin e rezervave, pse jo mund të luajë pak minuta edhe në pjesën e dytë./SHKODRA-SPORT.COM/