Pas Isaevskit, një tjetër lojtar nga Maqedonia e Veriut ka mbërritur në Shkodër. Këtë herë bëhet fjalë për një futbollist shqiptar nga Tetova, Ardit Demiri. Prej dy ditësh ai ndodhet në stërvitje me kuqeblutë dhe po kalon një test prove duke tentuar të bindë stafin teknik të tyre.

Demiri është vetëm 19 vjeç dhe konsiderohet një element me të ardhme dhe pikërisht prej kësaj, drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur t’i japin një mundësi për t’u provuar për disa ditë.

Demiri është rritur tek Akademia e Shkëndijës së Tetovës, ndërkohë që në vitin e fundit ka kaluar tek Renova, ndërsa gjashtë muajt e fundit ka qenë pjesë e Drita Bogovinje.

Lojtari në fjalë luan në mesfushë dhe ka disa karakteristika shumë intersante në lojën e tij megjithatë do të jetë stafi teknik i Vllaznisë me në krye Brdariç që do të vendosë nëse ai do të qëndrojë apo jo në Shkodër.

Fotoreporteri Mikel Thepina ka qenë i pranishëm në stërvitjen e sotme të Vllaznisë dhe e ka fiksuar në celuloid këtë lojtar gjatë procesit ndërkohë që prova vendimtare për të mund të jetë miqësorja e së enjtes me Teutën.
www.shkodrasport.com